KUKËS- Një shtetase kosovare u plagos me armë zjarri, teksa mbronte të birin 8-vjeç, nga dy persona të armatosur që tentuan ta rrëmbenin, pasi më parë i kishin zënë pusinë për t'i grabitur.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të natës së mbrëmshme
2-3 km larg Kukësit, kur shtetasja Makfine Berisha së bashku me dy fëmijët dhe vëllanë e saj po udhëtonte në drejtim të Durrësit për pushime. Shumë pranë vendit të quajtur Ura e Rexhepajt, pjesë e aksit Tiranë-Kukës-Morinë, dy persona të armatosur kanë ndalur makinën dhe kanë tentuar të rrëmbejnë djalin 8-vjeçar të saj.
Në përleshje e sipër, atë e kanë qëlluar me armë zjarri dhe e kanë plagosur rëndë.
Gruaja u shoqërua në spitalin e qytetit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, Policia e Kukësit ndaloi një adoleshent, i dyshuar si autor kryesor i ngjarjes së ndodhur në të gdhirë të ditës së sotme, kur në vendin e quajtur "Ura e Uzinës" në këtë rreth u sulmua me armë një automjet ku udhëtonin disa shtetas kosovarë, me pasojë plagosjen e njërit prej tyre.
"15 vjeçari i ndaluar, me inicialet K.S., është një nga dy autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje"- thanë burimet policore, duke shtuar se në komisariat janë shoqëruar rreth 15 persona.
Ndërkohë që po hetohet për zbardhjen e ngjarjes, policia është në kërkim të autorit tjetër.
KUKES - Policia e Kukësit ka identifikuar autorin e dytë të ngjarjes që ndodhi një ditë më parë në afërsi të qytetit, kur u sulmua me armë një automjet me udhëtarë kosovarë, me pasojë plagosjen e njërit prej tyre. Pas ndalimit të shtetasit K.S, 15 vjeç, një nga autorët e akuzuar të kësaj ngjarjeje, policia e Kukësit ka identifikuar dhe bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, gjithashtu adoleshent.
"Është identifikuar autori i dytë, edhe ai adoleshent, por emri i tij nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor", tha zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Irena Laknori.
Sipas saj, kërkimet për ndalimin e tij janë shtrirë në një zonë të gjerë, ndërsa krahas forcave të policisë së qarkut të Kukësit janë angazhuar dhe forca të ardhura nga Shkodra, të cilat kanë patrulluar e vazhdojnë të kontrollojnë aksin kryesor rrugor që lidh Kosovën me Shqipërinë.
|